KOSID për TC “Kosova e Re”: “Tetë marrëveshje, tre impakte të mëdha!”

Prishtinë, 25 Prill, 2018 – Konsorciumi Kosovar i Organizatave të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), organizoi konferencë për media ku prezantoi gjetjet nga analiza e marrëveshjeve të nënshkruara nga Qeveria e Kosovës me Contour Global për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’. Gjatë konferencës u shpalos analiza e cila shtjellon aspektet sociale, financiare, e mjedisore mbi ndikimet që realizimi i këtij projekti do të ketë për vendin dhe qytetarët e saj – ku si rezultat vihet në pah se kontrata krijon një humnerë financiare njëzet vjeçare për vendin, e izolon atë nga integrimi dhe liberalizimi i tregut të energjisë elektrike dhe shuan shpresat për një sistem energjetik të bazuar në burime të pastra e miqësore me mjedisin dhe shëndetin e popullatës.

Burim Ejupi, nga KOSID, u shpreh se pas analizimit të këtyre tetë kontratave, shpaloset qartazi se bëhet fjalë për kontratën më të dëmshme për Kosovën në gjithë historinë e saj moderne, andaj ky projekt duhet refuzuar dhe ndaluar. “Nëse kjo kontratë vihet në jetë, Kosova do të marrë përsipër kosto të papërballueshme dhe të pa merituara. Buxheti i shtetit do të rëndohet dhe shumë projekte jetike për Kosovën nuk do të mund të realizohen për shkak të fokusit në mbulimin e kostove të investimit miliardësh. Contour Global me asnjë logjikë ekonomike nuk mund të quhet investitorë. Përkundrazi, ai është një kontraktorë që do të realizoj një kontratë me as edhe një rrezik të vetëm për kapitalin e tij. Kontratat e ofruara e sjellin Kosovën në prag të kolapsimit ekonomik, andaj,  ndalja dhe anulimi i kësaj kontrate janë të domosdoshme për t’i hapur rrugë dialogut të vërtetë shoqëror mbi të ardhmen e sistemit energjetik të Republikës së Kosovës,” u shpreh Ejupi.

Në anën tjeter, Dardan Abazi, Hulumtues nga KOSID, qartësoi se ndërtimi i TC “Kosova e Re” paraqet kosto katastrofale mjedisore, shëndetësore e sociale që tejkalojnë përfitimet ekonomike. Abazi u shpreh se: “Kontrata për ndërtimin e termocentralit të ri sublimon një politikë të vjetër të subvencionimit shtetëror për një kompani të caktuar, vë një operator në pozitë ekskluzive në treg, si dhe vret interesin e konsumatorëve për energji të përballueshme. Ndërtimi i termocentralit të ri nga qymyri nuk ka marrë parasysh nevojat e Kosovës për integrim të tregut me tregjet rajonale dhe evropiane. Mbi të gjitha, termocentrali ‘Kosova e Re’ dhe kushtet e kësaj kontrate e vënë pikërisht operatorin privat në pozitë tërësisht të pavarur dhe të pa ndikuar nga tregu, gjë që rrjedhimisht e bën që TC “Kosova e Re” të jetë plotësisht në pozitë dominuese ndaj prodhuesve të tjerë të energjisë të cilëve nuk i janë siguruar asnjë nga garancat që Contour Global ka me këtë marrëveshje. Përfundimisht, një kontratë e tillë është marrëveshja më e dëmshme që Kosova ka nënshkruar që nga paslufta.”

Kurse, Linda Shuku, Hulumtuese nga KOSID, shpalosi detajet nga aspekti financiar që realizimi i këtij projekti do ndërthurë në vete. “Përkundër që mund të argumentojmë se Kosova nuk ka nevojë për një termocentral të ri nga qymyri, me këtë marrëveshje Kosova do të ngujohet për të blerë energji të prodhuar nga qymyri nga një operatorë privat për njëzet vitet e ardhshme. Me një strukturë të financimit ku 70 përqind e kostos pritet të mbulohet përmes kredisë dhe 30 përqind përmes investimeve private, si dhe me aplikimin e normës së brendshme të kthimit prej 7.5 përqind, kostoja totale e ndërtimit të TC “Kosova e Re” do të arrijë vlerën 3 miliardë euro. Për më tepër, me kontratë parashihen edhe kompenzime shtesë të cilat duhet të ju sigurohen kompanisë Contour Global të cilat do të rrisin koston  totale të ndërtimit edhe më shumë – kosto kjo, dukshëm e lartë për ekonominë e vendit. Përveç kostove të jashtëzakonshme përgatitore deri në realizimin e projektit, një projekt i tillë do të shkaktoj rritje të çmimeve të energjisë elektrike,” tha Shuku.

Në përmbyllje të tryezës u theksua qartë se ndërtimi i termocentralit të ri nga qymyri po bëhet pa një vlerësim të ndikimit në mjedis dhe pa një analizë të impaktit social e ekonomik. Sipas KOSID, kontrata për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” është e dëmshme për arsye se në aspektin financiar është dërrmuese, në aspektin mjedisor dhe social e paparashikueshme dhe në aspektin e integrimit evropian është izoluese dhe shkurtpamëse!

Gjeni këtu Analizën e zhvilluar nga KOSID.

 

###

Artikuj të tjerë